
TIRANË- 21 janari është cilësuar si një ditë e trishtë për demokracinë shqiptare. Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, para Kryeministrisë do të dilte jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me 4 të vrarë nga Garda e Republikës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Partia Demokratike, në qeveri asokohe do ta cilësonte tubimin si një grusht shteti dhe krim shtetëror, ndërsa sot, 13 vite nga ajo ngjarje, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi dhe dënimin e autorëve.
Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, mbetën të vrarë nga plumbat e dalë nga armët e Gardës së Republikës. Ende sot drejtësia është e lënë përgjysmë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi (Komandanti i Gardës) dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.
Së fundmi ka folur dhe Gjykata e Strasburgut. Kjo e fundit, ka dalë në përfundimin se ka 2 shkelje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes, duke bërë përgjegjës shtetin shqiptar. Por deri më tani, asnjë nga organet hetuese në Shqipëri nuk kanë reaguar. Ndërkohë vrasja e Aleks Nikës, mbetet ende pa autor, plumbi u dërgua në Itali, për shkak të dëmtimeve që kishte marrë kur u nxorr nga koka e Aleks Nikës në një spital në Turqi.
Ekspertët pretendojnë se ajo që ka mbetur nga gëzhoja ka pësuar deformim të madh duke prishur vjaskat, karakteristika këto që lihen nga tyta e armës në momentin e qitjes. Kështu, vrasja e Nikës nuk u përfshi në gjykimin e gardistëve të akuzuar për çështjen e 21 janarit.
Gjithçka nisi pas skandalit me videon Ilir Meta- Dritan Prifti, ku flitej për "7%" e një koncesioni. Ngjarja vijon të dominojë debatin politik në vend mes palëve politike ndërsa zbardhja e ngjarjes së rëndë mbetet në dorë të drejtësisë./ZËRI