Aktualitet

111-vjetori i Pavarësisë! Mbahet sot në Tiranë ‘Parada e Shqiptarëve’

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës

E.K
111-vjetori i Pavarësisë! Mbahet sot në Tiranë ‘Parada
111 vjetori i Pavaresise

TIRANË- Shqipëria feston sot 111- vjetorin e Pavarësisë së saj. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. Këtë 28 Nëntor, për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Parada e shqiptarëve.

Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët shqiptare”, Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës dhe Arkivin e Shtetit sjellin për herë të parë në Tiranë “Paradën e Shqiptarëve”, nën emrin “Rrënjët Kuq e Zi.

E frymëzuar nga iniciativa një grupi të rinjsh të diasporës shqiptare, parada Shqiptare është një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga organizata “Rrënjët Shqiptare”, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e saj në këto 15 vitet e fundit, ku një nga sheshet kryesore të New York-ut vishet kuq e zi.

“Në trajtën e një spektakli ngjyrash të traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore, ky event synon nxitjen dhe promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve kudo ku ndodhen, rrjetëzimin e qyteteve shqipfolëse në rajon dhe diasporës shqiptare, inkurajimin dhe promovimin e vlerave kulturore e historike, si dhe promovimin e potencialit turistik nëpërmjet trashëgimisë kulturore.

Rreth 200 grupe kulturore, artistike e sportive etj nga Shqipëria, qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, dhe shqiptarët e disaporës do të ecin bashkë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për ta kthyer Tiranën në zemrën e shqiptarisë. Shihemi në Tiranë më 28 nëntor! Mos mungoni”,  është shprehur kryebashkiaku Veliaj.

Sot 111 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë  se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte ”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

Qeveria e Vlorës:

Ismail Qemali – kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Dom Nikoll Kacërri – Zv.Kryeministër

Mufid Bej Libohova – Ministër për Punët e Brendshme

Abdi bej Toptani -Ministër për Financat

Mehmet Pashë Deralla -Ministër për Luftën (Mbrojtjen)

Petro Poga -Ministër për Drejtësinë

Luigj Gurakuqi – Ministër për Arsimin

Mit’hat bej Frashëri -Ministër për Punët Botore

Pandeli Cale- Ministër për Bujqësinë

Lef Nosi -Ministër i Post-Telegrafit.

/Zëri

Poll

MOS HUMB