
AUSTRI- Një i ri 21-vjeçar, i cili ishte përjashtuar nga shkolla dhe thuhet se ishte viktimë e bullizmit, e ktheu ish-shkollën e tij në një skenë krimi duke shkaktuar masakër. Autori ekzekutoi me armë zjarri 10 nxënës, mes tyre edhe një vajzë shqiptare. Ai i dërgoi të ëmës një video lamtumire vetëm pak momente para se të hapte zjarr. Hetuesit e gjetën mesazhin dje kur kontrolluan shtëpinë e 21-vjeçarit që i mori jetën pas sulmit në shkollën e mesme "BORG Dreierschützengasse" në qytetin e Gracit.
E alarmuar nga mesazhi i tij konfuz, nëna e tij njoftoi menjëherë Policinë, por ishte tepër vonë. Ajo e hapi videomesazhin 24 minuta pasi e mori, dhe deri atëherë djali i saj kishte hyrë me forcë në dy klasa. Mes viktimave ishte edhe një vajzë 15-vjeçare nga Kosova me emrin Lea është e para nga viktimat e tij që fotografohet. Sipas DailyMail, duke mbajtur zi për adoleshenten në një postim në Facebook, tezja e saj me zemër të thyer shkroi: Sot, mbesa ime Lea humbi jetën tragjikisht në sulmin në Graz. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë gjatë këtyre kohërave të vështira.

Por kush ishte autori?
Vrasësi jetonte me nënën e tij beqare në një kompleks banesash në periferi të Grazit. Një fqinj e përshkroi atë si “të padukshëm”, duke i thënë gazetës Profil: Ai ishte plotësisht i tërhequr. Ai mbante kufje të mëdha dhe një çantë shpine sa herë që hynte e dilte. Ai kurrë nuk përshëndeste, por nuk ishte as i pasjellshëm.
Ndërsa nëna e tij është përshkruar nga të gjithë ata që e njihnin si një grua 'e sjellshme' dhe 'vërtet e ëmbël'.
Arthur A., qëlloi me armë zjarri në dy klasa duke lënë të vdekur në total 11 persona, ndërsa më pas kreu vetëvrasje në tualetin e shkollës. Sakaq, 12 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa 9 prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Austria ka shpallur tre ditë zi kombëtare e ndërsa janë ulur në gjysmështizë në të gjithë vendin dhe festimet publike po anulohen ose shtyhen. Austria ka një nga normat më të larta të pronësisë së armëve në Evropë, me rreth 370,000 austriakë që zotërojnë ligjërisht 1.5 milion armë zjarri. Gjuetia në natyrë është e popullarizuar në vend dhe më shumë se gjysma e armëve të zjarrit të regjistruara në Austri janë në kategorinë e armëve që mund të zotërohen nga çdo i rritur pa leje./ZËRI