Aktualitet

Dhori Kule një orë në SPAK, flet pas daljes: Dhashë sqarime për mikrokreditë!

Ai është parë të futet sot në SPAK, por ende nuk dihen arsyet se përse është thirrur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

k.m.
Dhori Kule një orë në SPAK, flet pas daljes: Dhashë sqarime
Dhori Kule

TIRANË- Ish-rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule është thirrur sot në SPAK. Ai është parë të futet sot në SPAK, rreth orës 11.00 të mëngjesit të sotëm. Në një prononcim shumë të shkurtër për mediat, pasi doli nga ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, zbuloi se ishte thirrur për çështjen e mikrokredive.

Sipas tij, është thirrur për të dhënë një sqarim lidhur me punën e tij kur ishte në Këshillin Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. 

"Ishim në një sqarim për ato problemet kur kemi qenë në Këshillin Mbikqyrës së Bankës. Ishte një problem i thjeshtë. I sqaruam. Për mikrokreditë? Po!,"-thotë në prononcimin e tij për mediat Kule.

Aktualisht, Kule mban postin e Dekanit te Fakultetit të Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës.

I pari që dha lajmin se çështja e skandalit të mikrokredive po hetohej nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Lajmin e dha gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve më 10 Maj 2024. Por çështje të hapura kishte edhe në Prokurorinë e Tiranës.

Pak muaj më parë, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja shoqëritë e mbledhjes së borxheve e kredive të këqija u vendosën nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro. Se përveç këtyre çështjeve po hetonte edhe SPAK-u, e konfirmoi kreu i institucionit, Altin Dumani. Në raportimin që ai po bën në Komisionin e Ligjeve, Dumani u pyet për disa çështje, por edhe për mikrokreditë zgjodhi heshtjen, duke u mjaftuar me vetëm: Po e hetoj!

Por deri më tani, të paktën nga ata që janë prononcuar për mediat, Kule është i vetmi që është marrë në pyetje për këto dosje.

Si u zbulua skandali?

Prej disa vitesh tashmë, ZËRI ka denoncuar dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në këto zyra. Këto institucioneve përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve kredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Aq më tepër kur një prej këtyre viktimave, Pal Trashaj i dha fund jetës në dyert e SPAK. Ai kishte shkuar në Prokurorinë e Posaçme që të denonconte rastin e tij, por në dëshpërim e sipër, konsumoi fotoksinë, duke i dhënë fund jetës. Një fund të ngjashëm ka zgjedhur edhe Olsi Ibro, pronari i “Micro Credit Albania”. Ky i fundit zgjodhi që t'i jepte fund jetës duke u hedhur nga një pallat./ZËRI

Poll

MOS HUMB