Aktualitet

Presidenti kolumbian fajëson “mafian shqiptare” për atentatin ndaj rivalit: Junta po vepron! (Arkitekti Dritan Gjika)

Gjithashtu, presidenti Gustavo Petro e përfundoi postimin e tij duke u bërë thirrje kolumbianëve të mos "ngatërrohen ose terrorizohen nga pakicat e dhunshme".

k.m.
Presidenti kolumbian fajëson “mafian shqiptare” për
Miguel Uribe dhe Gustavo Petro

KOLUMBI- Presidenti kolumbian Gustavo Petro fajësoi atë që ai e quajti një "sindikatë globale të krimit" për atentatin ndaj Miguel Uribe të Qendrës Demokratike. Sipas tij, e gjitha po bëhet për të "ndaluar rilindjen kolumbiane". Përmes llogarisë së tij në rrjetin social "X", për atentatin ndaj Miguel Uribe Turbay (ky i fundit është ende në spital), presidenti Gustavo Petro fajësoi një rrjet trafiku droge që shtrihet nga Dubai, Italia dhe Shqipëria dhe deri në Ekuador. Ky grup sipas presidenti ka lidhje me Klanin e Gjirit (Clan de Golfo) të Kolumbisë dhe një komandant lufte të njohur si Iván Mordisco.

"I kemi goditur, kemi bërë përparim në Catatumbo, Micay dhe Nariño. Kemi kapur bosët e mafias shqiptare që punojnë në Dubai dhe Itali. Unë ekstradoj një gangster në ditë dhe shkatërroj 4.5 laboratorë kokaine dhe baza kokaine çdo ditë. Asnjëherë më parë nuk është sekuestruar kaq shumë kokainë sa gjatë administratës sime,"- tha Petro duke pretenduar se po punonte për të shkatërruar atë ashtuquajturën "junta kundër shtetit".

Presidenti këmbënguli se në shënjestër për t'u ekzekutuar ishte edhe vetë ai me qëllimin që të shkatërrohej qeveria. 

"Mafia e ndërkombëtarizuar kolumbiane që është krijuar në Cali, Puerto Boyaca, Medellín, Barranquilla dhe Panama, dhe tashmë edhe në Dubai, më urren për atë që bëra dhe për denoncimin e tyre. Ata janë infiltruar në shtet dhe politikë dhe po kërkojnë të më vrasin dhe të shkatërrojnë qeverinë,"-shtoi ai. 

Gjithashtu, presidenti Gustavo Petro e përfundoi postimin e tij duke u bërë thirrje kolumbianëve të mos "ngatërrohen ose terrorizohen nga pakicat e dhunshme".

“Vetëm si një hipotezë, por me prova shumë të forta kemi dalë në përfundimin se vrasësit fshihen pas një mafia me seli ndërkombëtare. Vrasësit kërkojnë që ne të vrasim njëri-tjetrin, të dobësojmë shtetin dhe të forcojmë kontrollin e tij mbi ekonominë e paligjshme. Brenda juntës së trafikimit të drogës me qendër në Dubai dhe Kolumbi janë njerëzit që unë ia zbulova vendit me emër dhe mbiemër. Më shumë se 185 kandidatë në zgjedhje u vranë në Meksikë dhe Ekuador, përfshirë një kandidat për president. Ne po përballemi me një ofensivë për të marrë kontrollin e shtetit në pjesën më të madhe të Amerikës Latine nga mafia,"-shtoi ai.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 4 shkurt, Petro pohoi se ka pasur 4 atentate të dështuara kundër tij që kur u bë president më 7 gusht 2022. Ai shtoi se njëherë janë blerë raketa për t'i rrëzuar aeroplanin, por edhe se i ishin vendosur snajpera pranë Casa de Nariño, pallatit presidencial në Bogotá. 

Në maj, gazeta "El Tiempo" raportoi se dy zyrtarë nga Drejtoria Kombëtare e Inteligjencës, sipas urdhrave presidenciale, po koordinonin një udhëtim në Emiratet e Bashkuara Arabe për të folur me ish-trafikantë dhe biznesmenë kolumbianë droge që banojnë atje, dhe kështu për të hetuar "juntën". Ndërkaq, Zyra e Prokurorit ka deklaruar se nuk e ka identifikuar juntën për të cilën flet presidenti.

"Në proceset hetimore që po kryhen nga Drejtoria e Specializuar kundër Trafikimit të Drogës, nuk janë marrë prova në lidhje me ekzistencën e një 'Junte të vetëshpallur të Trafikimit të Drogës'. Si pasojë, nuk ka hetime të hapura në këtë kontekst,"- deklaroi Zyra e Prokurorit në një prononcim të dhënë për deklaratat e presidentit. Megjithatë, Petro këmbëngul se ka të dhëna që tregojnë të kundërtën.

Një burim pranë qeverisë thotë se junta përfshin trafikantë droge të nivelit të lartë, siç është uruguaiani Sebastián Marset, një i arratisur nga drejtësia dhe i akuzuar për konsolidimin e Kartelit të Parë Uruguaian (PCU). Informacione ka edhe për Dritan Gjikën, një shqiptar i cili konsolidoi një rrjet trafikimi kokaine nga Ekuadori dhe u kap më 25 maj në Abu Dhabi.

Ekuadori ka kërkuar ekstradimin e tij për t'u përballur me akuzat për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar, por ende nuk ka përgjigje. Ai konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të zgjerimit të mafias shqiptare në Amerikën Latine dhe luan një rol kyç në shndërrimin e portit të Guayaquil në pjesë të rrugës së eksportit të kokainës në Evropë.

Një tjetër emër që është përmendur në zyrën presidenciale kur përmendet bordi i ri është Alejandro Salgado Vega, i njohur si "El Tigre", trafikanti më i kërkuar i drogës në Spanjë, i cili thuhet se fshihet në Dubai. Fokusi kryesor i qeverisë kolumbiane është te Lozano, minatori i smeraldeve i cili vuajti një dënim 6-vjeçar në Shtetet e Bashkuara për trafik droge dhe pastrim parash. Ai ka qenë informator i DEA-s dhe yani banon në Dubai.

"Julio Lozano Pirateque, një qytetar kolumbian i Dubait, po vret minatorët e smeraldeve sepse do t'i mbajë smeraldet. Ai beson se presidenti është armiku i tij,"- tha Petro në takimin e diskutueshëm të Këshillit të Ministrave më 4 shkurt.

"Juntën e trafikimit të drogës” është një term i shpikur rreth vitit 2010 nga agjencitë ndërkombëtare kundër drogës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Kolumbian për të përshkruar rikonfigurimin e karteleve pas rënies së bosëve kryesorë të viteve 1990./ZËRI

Poll

MOS HUMB