MALLAKASTËR- Zjarri vijon të përhapet në fshatin Riban, duke përfshirë një masiv pyjor me pisha dhe duke rrezikuar zonën e banuar. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, FNSH dhe helikopteri i Forcave të Armatosura për ndërhyrje nga ajri.
Për shkak të rrezikut nga flakët, janë evakuuar 15 familje së bashku me bagëtitë e tyre, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon ende.
Mallakastër
Shërbimet e Policisë evakuuan 15 familje, si dhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, ndërsa vijojnë kontrollet dhe angazhimi në të gjithë territorin e prekur nga flakët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, janë angazhuar maksimalisht që në orët e para të mëngjesit në fshatin Riban, ku një zjarr masiv ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë për evakuimin e 15 familjeve, si dhe të bagëtive dhe kafshëve të tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe të pronës së banorëve.
Aktualisht, shërbimet e Policisë vijojnë të jenë të angazhuara në terren, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e tjera përgjegjëse, me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për ofrimin e ndihmës ndaj banorëve të zonës.
Njëkohësisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit, nëse zjarri rezulton të jetë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon ndaj të gjithë qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Arben Cara, ka deklaruar se situata në Mallakastër është e vështirë për shkak të përmasave të zjarrit, erës së fortë dhe temperaturave të larta. Në një intervistë për mediat, Cara tha se ndërhyrja do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të vatrës, edhe gjatë natës nëse do të jetë e nevojshme.
“Prej orëve të para të mëngjesit, bashkë me kryetarin e Bashkisë, nëndrejtorin e Policisë së Fierit dhe shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, Patos, Fier, Berat, forcat e emergjencave civile dhe forcat vullnetare jemi duke luftuar me flakët në fshatin Rabin. Ka qenë një situatë shumë dramatike dhe e vështirë por ajo që kemi bërë është që kemi siguruar njerëzit dhe gjënë e gjallë dhe i kemi evakuuar. Asnjë nga banesat deri në këto momente nuk është prekur nga zjarri. Ka qenë një zjarr masiv i përmasave të mëdha, temperatura të larta me flakë që kanë përpirë hektarë me pisha. Me ndihmën e dy helikopterëve që kanë punuar për gjatë ditës, vatrën e zjarrit e kemi mbajtur të menaxhueshme brenda perimetrit. Do punojmë gjatë gjithë natës nëse është e nevojshme për eliminimin e plotë të saj. Deri tani sipërfaqja e djegur mendoj që është diku tek 15 hektarë në mos më shumë., Kemi më shumë djegie sipërfaqësore se djegie të thellë. Ka agravuar si pasojë e erës. Me familjet do të merret bashkia për të bërë akomodimin e tyre. Banesat e tyre janë të paprekura”, tha Cara./ZËRI