TIRANË- Situata e zjarreve vijon të jetë nën monitorim në disa zona të vendit. Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra, ndërsa 8 prej tyre mbeten aktive.
Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, të pozicionuar pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit.
Ndërhyrjet vijojnë edhe në Dajt, Patos, Krujë, Përmet dhe Dibër. Autoritetet theksojnë se në zonat ku ka prani të zjarreve, prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe komuniteteve.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave janë angazhuar në terren, me mbështetjen e Forcave të Armatosura nga ajri. Në operacione janë përfshirë 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Njoftim:
Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 12 orëve të fundit
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Dajt, pas riaktivizimit të vatrës mbi tunelet e Qafë Mollës, po punojnë forcat e MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 1 helikopter i FA-së.
Në Priskë e Madhe vijon puna me 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit në thellësi të pyllit, operacioni vijon me forca zjarrfikëse e bashkiake, 20 efektivë të FA-së dhe 2 avionë “Air Tractor”, duke përforcuar ndjeshëm ndërhyrjen nga toka dhe ajri.
Në Krujë vijon puna në dy vatra. Në Abaze, situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë, ndërhyrja e të cilëve kontribuoi në normalizimin e situatës; forcat operacionale vijojnë punën në terren, ndërsa mbrojtja e banesave mbetet prioritet.
Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet, operacioni vijon me forcat e MZSH-së, strukturat bashkiake dhe 25 efektivë të FA-së; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Aktive mbetet edhe vatra në malin Dhëmbel, ku po punojnë forcat e MZSH-së Përmet.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, është përqendruar një tjetër operacion i rëndësishëm, me 25 efektivë zjarrfikës, 20 forca të ADZM-së, 35 vullnetarë dhe 2 helikopterë të FA-së. Forcat po pozicionohen pranë banesave për të garantuar mbrojtjen e komunitetit dhe për të qenë të gatshme për çdo zhvillim të situatës.
Ndërkohë, në Vilëz, bashkia Kurbin, vatra e raportuar gjatë pasdites është shuar plotësisht, duke konfirmuar ecurinë pozitive të ndërhyrjeve në terren.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë koordinimin intensiv deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre./ZËRI