FIER- Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Radostinës në bashkinë e Fierit, ndërsa flakët janë përhapur në drejtim të Levanit, duke rritur rrezikun për banesat dhe bizneset pranë vatrës së zjarrit. Gjatë avancimit të flakëve është djegur një ndërtesë e pabanuar, ndërsa disa banesa të tjera kanë qenë të rrezikuara, për arsye sigurie jan evakuar familjet.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e tij në disa drejtime. Flakët iu afruan edhe dy lokaleve pranë Qafës së Koshovicës, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë. Për shkak të situatës së krijuar, është ndërprerë përkohësisht edhe qarkullimi në linjën hekurudhore Fier–Vlorë, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zonën përreth.
Shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet vijojnë operacionin në terren për izolimin e vatrave aktive dhe vënien e plotë të zjarrit nën kontroll./ZËRI