TIRANË- Dy efektivë të Policisë Ushtarake janë pezulluar nga detyra, pasi rezultuan të pranishëm në “Regina Palm Resort” gjatë përplasjes së armatosur mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj në Vlorë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka sqaruar se dy efektivët nuk kanë qenë në shërbim në momentin e ngjarjes, ndërsa ka bërë të ditur se ata janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e verifikimeve për rolin e tyre në incident. Po ashtu, ministri thekson se efektivët nuk janë truprojat e tij personalë edhe pse më herët kanë kryer detyra sigurie mbrojtjeje dhe shoqërimi institucional të ministrit të Mbrojtjes.
Nufi paralajmëron përgjegjësi personale dhe jashtë detyrës institucionale, nëse sipas tij, verifikohet dhe konfirmohet nga autoritetet përfshirja e tyre në ndonjë veprim të paligjshëm.
Reagimi i plotë i Ermal Nufit
Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.
Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.
Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.
Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.
Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese.
Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.
Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.
Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Çfarë ndodhi në Radhimë?
ZËRI ekskluzivisht raportoi se mesditën e sotme se dhjetra persona të armatosur me në krye Luan Muçën e Delta Group u përplasën me biznesmenin Vasil Bedinaj dhe me ushtarët e tij. Pas këtij momenti Bedinaj denoncon se i vendosën një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kërcënuan që brenda 48 orësh të largohej nga Shqipëria. Përplasja nuk u mbyll në hotel. Gjatë largimit me makina nga ambjentet e hotelit të Bedinajt, burime për ZËRI bënë me dije se personat e përfshirë në konflikt ndoqën njëri-tjetrin.
Gjatë ndjekjes ka patur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Në Range Rover-in ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, u gjetën dy plumba. Një Range Rover tjetër u aksidentua gjatë ndjekjes, ku udhëtonte Luan Muça me Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë. Një audi a8, në pronësi të shtetasit Renato Kodra, me targë AB 295 YB, u gjet i djegur në Radhimë. Brenda Audit janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, çka konfirmon se përveç Luan Muçës dhe Madrid Lleshajt, të cilët u dëmtuan gjatë aksidentit ka patur edhe person tjetër të plagosur./ZËRI