
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në përfundimin se atentati me snajper kundrejt Ardian Çapjas është porositur nga Suel Çela. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 8 qershor të vitit 2020, kur Çapja u tentua të vritej me snajper në banesën e tij, por sulmi dështoi. Sipas njoftimit të SPAK, snajperist ka qenë Prekë Kodra, 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe. Kodra është vënë në pranga. Ndërsa urdhërues i atentatit, sipas SPAK, ka qenë Suel Çela.
“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë: Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit,”- thuhet në njoftimin e SPAK.
Prek Kodra është akuzuar më herët edhe për një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në vitin 2021, ngjarje që u zbulua në një nga e-mailet e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të cilat u publikuan nga grupi i hakerave iranianë, që u futën dhe në e-mailin e Nanos. Sipas planit, fillimisht do të vritej një komandant i UÇK-së Ismet Haxha dhe më pas deputeti Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje. Vetë Prek Kodra i mohoi të gjitha akuzat për atentate ndaj politikanëve në Kosovë.
“Ça të shpjegoj, vetëm po shpika diçka sikur kanë shpikur persona të paidentifikuar për mua. Albin Kurtin e njoh vetëm prej televizionit. Më keni akuzuar dhe po më merrni më qafë mua dhe familjen time. Për herë të parë, paradite rreth orës 11 kam qenë në Shkodër në kafe dhe dikush më ka telefonuar nga Gjermania dhe më thotë a je duke i parë lajmet dhe më ka nisur linkun. E kam parë linkun dhe pashë një gjë që se kisha imagjinuar kurrë në jetën time. Më kanë ndaluar në Kosovë para një viti në doganë, më 24 nëntor nëse nuk gaboj. Isha duke shkuar në Kosovë për të blerë një kamionçinë. Kur më kanë ndaluar kam qenë me makinën e vajzës time për të blerë një kamionçinë për firmën time. Kur kam shkuar në doganë më kanë ndaluar dhe më kanë mbajtur nga ora 2 e pasdites deri në orën 11 në darkë pa më thënë pse më kanë ndaluar. Në doganë më kanë arrestuar. Kisha 15 mijë euro me vete. Më kanë çuar në Prishtinë dhe më kanë marrë në pyetje nga Departamenti i Krimeve të rënda. Nuk e dija pse po më ndodhte ajo gjë. Kur më thanë që dyshohesh për falsifikim parash por unë isha i sigurt sepse i kisha marrë te firma ime,”- deklaroi Prek Kodra.
Ardian Çapja u qëllua me snajper më 8 Qershor 2020 dhe mori një plumb poshtë supit. Çapja ndodhet në burg, i dënuar me burgim të përjetshëm bashkë me Olsi Lekun. Florenc Çapja është dënuar në mungesë.
Ardian Çapja është shpallur fajtor për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
Ndërsa anëtarët e tjerë të bandës, duke përfshirë këtu, Ervis Bardhin, Klajdi Dekolli dhe Etjen Canin, do të dënohen me 15 deri në 25 vite burg për veprën penale, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.