
TIRANË- Kompania e fluturimeve Wizz Air vazhdon të vonojë fluturimet e qytetarëve më orë të tëra po ju dhënë asnjë shpjegim. Sipas një denoncimi të bërë publik nga JOQ, këtë herë vonesat kanë arritur deri në 10 orë. Sipas një qytetari që kishte prerë një biletë nga Tirana për në Romë, orari i nisjes së flurturimit ishte planifikuar për në orën 16:25, por ishte shtyrë nga kompania për në orën 02:15 të natës, gati 10 orë diferencë.

"Përshëndetje JOQ! Vonesat e Wizzit janë të tmerrshme, nga ora 16:25 që ishte nisja, fluturimi është shtyrë deri në orën 02:15 të natës." shkruan qytetari.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, shkaku kryesor i vonesave ndodh për arsye të vonesave nga një fluturim i mëparshëm, efekti domino. Ky efekt, sipas AAC ka dhënë pasoja në numrin më të lartë të vonesave tek ky operator, e vlerësuar me 7928 fluturime të kryera nga kjo kompani për vitin 2023, 34 prej të cilave janë anuluar.
Mbishitja e biletave nga kompanitë ajrore shpesh krijon problematika dhe tensione të shumta mes stafit dhe pasagjerëve. Kompania Wizz Air, e cila është një prej kompanive low cost që operon në Shqipëri, është një prej më të kritikuarave nga ana e udhëtarëve, për shkak të vonesave të shumta me fluturimet nga linja të ndryshme./ ZËRI