Aktualitet

Vrau policin e 'Shqiponjave' në Fier, Prokuroria kërkon burg përjetë për Azgan Mërnicën

Konflikti mes viktimës dhe të riut ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, duke u kthyer në rrezik për të gjithë të tjerët.

k.m.
Vrau policin e 'Shqiponjave' në Fier, Prokuroria kërkon burg
Azgan Mërnica dhe Novruz Cenalia

FIER- Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, të riun që vrau efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia. Pretenca u dha sot nga organi i akuzës, që lexoi konkluzionet përfundimtare të dosjes pas procesit gjyqësor në Gjykatën e Fierit. Ngjarja ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Konflikti mes viktimës dhe të riut ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, duke u kthyer në rrezik për të gjithë të tjerët. Pasi e ka parë vetë skenën, Novruz Cenalia i ka tërhequr vëmendjen të riut, por Mërnica nuk e ka marrë "lehtë" kritikën. Menjëherë ka ndaluar makinën e tij, ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe qëlloi me plumb në fytyrë efektivin duke i marrë jetën në vend.

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M. për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës N.C.

Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim. 3. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. 4. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB