FIER-Shefit Rrapaj, 80 vjeç, i cili dy ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës është varrosur nga Komunalja e Bashkisë, i braktisur nga familja. Sipas banorëve, në varrim kanë marrë pjesë vetëm disa punonjës të shërbimeve funerale dhe të bashkisë, ndërsa asnjë nga 9 fëmijët apo të afërmit nuk ishte i pranishëm.
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike pranë kësaj bashkie, Arben Duka, negociatat e policisë me familjarët për të tërhequr trupin nuk dhanë asnjë rezultat, ndaj në bazë të ligjit ceremonia mortore u krye nga bashkia. Ndërkohë edhe vëllai i viktimës, Dashuri Rrapaj u shpreh një ditë më parë (25 mars) se për 80-vjeçarin fëmijët kishin deklaruar se nuk do e tërhiqnin trupin nga morgu dhe e kishin lënë me shkrim që të 'groposej në kanal'. Çifti kishte nëntë fëmijë.
Nga ana tjetër Dashuri Rrapaj u përcoll në banesën e fundit në fshatin Allambreas të Beratit, në vendlindjen e saj.
Djali i çiftit të ndjerë Rrapaj, në dëshminë e tij në Polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë. Ai është shprehur se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve, kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtepisë.
Bëhet me dije se arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që prej vitit 1997, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë./ZËRI
