FIER-Një ditë pas tragjedisë në fshatin Kuman, ku 80-vjeçari Shefir Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten Dashuri Rrapaj dhe më pas i dha fund jetës së tij, dyert e morit janë hapur vetëm për 75 vjeçaren. I ndjeri Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe trupi i tij ende nuk po tërhiqet nga familjarët.
Ermal Azizaj, vëllai i Dashurisë, ka deklaruar se autori ka qenë një njeri problematik, i cili 20 vite më parë kishte tentuar edhe vetëvrasjen. Sipas tij konfliktet mes tyre kanë qenë të kota. Azizaj deklaron se kanë tërhequr trupin e motrës dhe do të kryejnë varimin, ndërsa për 80-vjeçarin ai deklaron se fëmijët e kanë lënë me shkrim që të 'groposet në kanal'. Çifti kishte nëntë fëmijë. Të 9-të fëmijët e çiftit ndodhen në banesën ku ndodhi krimi i dyfishtë.
"Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë për atë ka qenë mbulesë. Kishte hije prindi të rëndë. Jo si baba të përqafojë fëmijën e gruan. Ja ai qen. Para 10 ditësh i denoncoi në polici, Shefiti krimineli. Pse? Sepse kishte mbjellë ca patate. Pse i mbolle këtu dhe jo aty. Këto janë konflikte koti. Ai ka qenë problematik. Para 20 vjetësh ka tentuar edhe vetëvrasje në mars 2006-ës. Arbeni është 50 vjeç. Në orën 3 pa çerek më merr nipi në telefon dhe më thotë; Kanë vdekur të dy dajë. E ka vrarë. Mora vëllain e madh në telefon për ta shpëtuar mos e gjeja gjallë. Ne kemi marrë motrën tonë ta varrosim ku kemi nënë dhe babanë. Kurse atë e kam dhënë edhe me shkrim; groposeni në kanalin më të thellë ta hanë qentë. Kujt i shkonte mendja se do të kishte armë dhe do të bënte këtë gjë. Marrëdhëniet e Shefitit me të afërmit kanë qenë pothuajse inekzistente, me mungesë totale komunikimi. Nga njerëzit e tij nuk ka ardhur askush. Trupi ndodhet në morg,"-u shpreh Ermal Azizaj, vëllai i të ndjerës Dashuri Rrapaj.
Djali i çiftit Rrapaj në dëshminë e tij në Polici ka thënë se në momentin e ngjarjes së rëndë ka qenë në Fier për një konsultë mjekësore, gjë që është vërtetuar edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë. Ai është shprehur se i ati ishte tip konfliktual dhe zënka e fundit ka qenë para 10 ditëve, kur i ka hedhur pleh patateve të mbjella në oborrin e shtepisë.
Bëhet me dije se arma e përdorur në krim është tip i vjetër dhe dyshohet të ketë qenë e fshehur nën tokë që prej vitit 1997, pasi ishte me dhe, ndërkohë që ishte shkrepur dy herë, një plumb i ka shkaktuar vdekjen Dashurisë dhe plumbi tjetër ka shkaktuar vdekjen e 80-vjeçarit teksa është vetëvrarë./ZËRI