TIRANË- Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar Marinela Osmanin si gjyqtaren që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e akuzuar për falsifikim të vulave dhe formularëve. Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal më 5 qershor 2025, mbi bazën e kallëzimit të Adriana Kalasë, i cili përfshinte dyshime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Ndërsa dje, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal ndaj Gjokës, pasi gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.
Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë. Për pasojë, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale.
Ndërkohë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim disiplinor ndaj Irena Gjokës, gjyqtare pranë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me dyshimin se gjyqtarja mund të ketë kryer veprime për shkelje disiplinore. Nga ana tjetërKëshilli i Lartë Gjyqësor nuk e pranoi nisjen e verifikimit për gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka, nëse është apo jo në kushtet e mos ushtrimit të detyrës për shkak të dyshimeve se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi.
Vetë gjyqtarja Irena Gjoka, pasi Prokuroria e Përgjithshme dërgoi materialet në KLGJ, i dërgoi një letër Këshillit ku shpjegonte arsyet përse nuk e kishte deklaruar më herët dënimin. Gjoka tha se nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për falsifikim vize pasi vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk i është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë./ZËRI



