TIRANË- SPAK ka kërkuar pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohej për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal më 5 qershor 2025, mbi bazën e kallëzimit të Adriana Kalasë, i cili përfshinte dyshime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.
Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë. Për pasojë, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale.
Ndërkohë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim disiplinor ndaj Irena Gjokës, gjyqtare pranë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me dyshimin se gjyqtarja mund të ketë kryer veprime për shkelje disiplinore. Nga ana tjetërKëshilli i Lartë Gjyqësor nuk e pranoi nisjen e verifikimit për gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka, nëse është apo jo në kushtet e mos ushtrimit të detyrës për shkak të dyshimeve se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi.
Vetë gjyqtarja Irena Gjoka, pasi Prokuroria e Përgjithshme dërgoi materialet në KLGJ, i dërgoi një letër Këshillit ku shpjegonte arsyet përse nuk e kishte deklaruar më herët dënimin. Gjoka tha se nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për falsifikim vize pasi vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk i është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë.
NJOFTIMI I SPAK:
SPAK kërkon pushimin e procedimit penal nr. 130 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për pushim të procedimit penal nr. 130 të vitit 2025 ndaj të kallëzuarës Irena Gjoka, i regjistruar më datë 5.6.2025, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga shtetasja Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike. Materiali kallëzues është protokolluar në Prokurorinë e Posaçme më 20.5.2025 dhe përfshinte falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.
Në kuadër të këtij procedimi janë administruar kallëzime shtesë, materiale referuese dhe dokumentacion nga institucione të ndryshme, si dhe janë kryer veprime të shumta hetimore, përfshirë verifikime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve të huaja, përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Nga aktet e administruara, përfshirë dokumentacionin e përcjellë nga autoritetet e drejtësisë së Republikës së Greqisë, evidentohet se ndaj shtetases Irena Gjoka (alias Shpata; Maneku) ekziston një vendim gjyqësor penal i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, me nr. 1447/2005, përmes të cilit ajo është deklaruar fajtore për veprën penale të parashikuar nga legjislacioni penal grek “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, e dënuar me burgim dhe gjobë (konvertuar në gjobë sipas dispozitivit të vendimit).
Materialet e administruara tregojnë se Irena Gjoka ka qenë subjekt i procedurave administrative dhe gjyqësore në Greqi, pas dy episodeve në kufi, ku është konstatuar përdorimi i dokumenteve të parregullta dhe tentativa për hyrje me të dhëna të ndryshme identifikuese. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke.
Në vijim, nga dokumentacioni i siguruar rezulton se ndaj saj është zhvilluar edhe një proces penal në Greqi, konkretisht me vendimin nr. 1447/2005 të Gjykatës Penale të Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për përdorim dokumentesh të parregullta. Megjithatë, ky gjykim është zhvilluar në mungesë të saj, ndërsa njoftimi është realizuar sipas procedurave për persona me vendbanim të panjohur. Në këtë kuadër, nuk rezulton të ketë dokumentacion që provon se ajo është njoftuar realisht dhe në mënyrë efektive as për zhvillimin e gjykimit dhe as për shpalljen e vendimit.
Gjithashtu, nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni në mënyrë efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij.
Autoritetet greke, në vijim të zbatimit të legjislacionit përkatës (ligji nr. 3346/2005), kanë urdhëruar mosekzekutimin dhe arkivimin e vendimit penal, për shkak se ai nuk kishte marrë formë të prerë dhe për shkak të parashkrimit të veprës penale.
Po ashtu, nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënim penal ndaj saj, ndërkohë që edhe në formularin e vetëdeklarimit ajo ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Nga analiza e mëtejshme e akteve rezulton se edhe sikur të merrej e mirëqenë ekzistenca e këtij vendimi penal, ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit, në përputhje me legjislacionin përkatës të aplikueshëm.
Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.
Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pushimin e çështjes, mbështetur në nenet 28/1, 75/a dhe 328 pika 1, shkronja “d” dhe “dh”, si edhe 329, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo kërkesë i është dorëzuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit tëOrganizuar (SPAK) mbetet e angazhuar në ushtrimin e detyrave të saj kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar hetim të pavarur, të paanshëm dhe të bazuar në ligj.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë./ZËRI


