TIRANË- Gjykata e Elbasanit ka vendosur dënimin me 25 vite burg për Damiano Toshin, pas rigjykimit të çështjes ndaj tij. Vendimi ndryshon dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm, të dhënë vite më parë për një nga ngjarjet, të konsideruara ndër më të rëndat kriminale të ndodhura në Korçë.
Procesi i ri gjyqësor u zhvillua pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila kishte prishur vendimin e mëparshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim nga e para. Gjatë rigjykimit, Gjykata e Elbasanit pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke vendosur një dënim prej 25 vitesh burg.
Kush është Damiano Toshi?
Damiano Toshi është një prej emrave të njohur të kronikës së zezë në Korçë. Emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve 2000 në këtë qytet.
Ai u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit “Skënderbeu”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si edhe për plagosjen e Julian Beckës. Ngjarja ndodhi më 3 shtator 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë, pas një konflikti të armatosur që tronditi opinionin publik dhe komunitetin sportiv.
Në vitin 2005, Gjykata e Korçës e dënoi Toshin me burgim të përjetshëm për këtë ngjarje. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja u kthye për rigjykim dhe në mars të vitit 2022 nisi procesi i ri gjyqësor në Gjykatën e Elbasanit.
Në përfundim të këtij procesi, gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për Damiano Toshin.
Emri i tij u rikthye në vëmendje edhe në vitin 2021, gjatë hetimeve për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi. Sipas hetimeve të kohës, vëllai i tij, Mihal (Mirgert) Toshi, dyshohej për përfshirje në këtë ngjarje, ndërsa pretendohej se veprimi lidhej me një premtim për të ndihmuar Damiano Toshin në lidhje me çështjen e tij penale./ZËRI
