
SARANDË- Prokuroria e Sarandës ka caktuar për Elvira Tahiraj, 49-vjeçarja që vrau bashkëshortin, ekspertë psikiatër për të kryer ekspertimin mbi përgjegjshëmërinë ligjorë për veprimtarinë kriminale. 49-vjeçarja goditi me sëpatë për vdekje bashkëshorin e saj, Llazar Tahiraj në fshatin Metoq në Sarandë.
Vendimi për caktimin e ekspertëve është marrë nga grupi hetimor, pasi e pyetur në polici 49-vjeçarja ka pranuar se ishte ajo autore e vrasjes. Sipas burimeve 49-vjeçarja, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor ka thënë se edhe në një rast tjetër ka tentuar ta vrasë burrin e vet, ndërsa nuk ka rrëfyer asnjë shkak që e çoi në këtë veprim.
Pas dhënies së ekspertizës, prokuroria synon të provojë shkencërisht nëse është e përgjeshme ligjërisht ose jo. Nëse 49-vjeçarja rezulton e papërgjegjshme për krimin e kryer, përmes një kërkese të dytë prokuroria do kërkojë masën e shtrimit të detyrueshëm në spitalin psikiatrik. Elvira Tahiraj do të dalë nesër para gjykatës së Sarandës, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Mësohet se ka qenë vajza e çiftit ajo që e ka gjetur të atin rreth orës 08:00 të 24 dhjetorit, të pajetë dhe të rrethuar nga një pellg gjaku në shtatin e tij. Pasi nënën e ka gjetur në derën e jashtme të shtëpisë, vajza ka telefonuar të motrën duke i rrëfyer se çfarë kishte ndodhur.
Krimi në familje mësohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Metoq. 49-vjeçarja, Elvira Tahiraj e ka goditur për vdekje bashkëshortin e saj, Llazar Tahiraj 55 vjeç me sëpatë në kokë, pas një konflikti mes tyre. /ZËRI