
GREQI- Kastriot Cenko është shprehur i penduar për vrasjen e gruas së tij, Albës. Media greke "Protothema" shkruan se 39-vjeçari ndodhet në gjendje shumë të keqe psikologjike, qan gjatë gjithë ditës dhe kërkon të dijë se çfarë po bëjnë dhe se ku ndodhen 2 fëmijët e tij. Sipas të njëjtave burime, shqiptari pritet që të dalë para gjyqit të martën, ku do të përpiqet të argumentojë se vrasja ishte një krim pasioni.
Mesa duket shqiptari ka gati kërkesë faljen dhe se ka në plan të thotë se e adhuronte gruan e tij dhe se u hutua kur ajo i tha se do ta linte duke i marrë dhe një nga djemtë me vete.
"Jam i shkatërruar dhe dua të kthej kohën pas,"-mësohet se ka thënë shqiptari. Ndërkohë që dy fëmijët e çiftit janë të sigurt në shtëpinë e një të afërmi dhe kanë marrë vesh për ngjarjen e rëndë që u ka ndodhur me ndihmën e një psikologeje.
Kastriot Cenko e masakroi të shoqen me çekiç dhe e futi në qese plastike. Më pas e fshehu për një javë në papafingon e shtëpisë. Ai e rrëfeu dje krimin e rëndë, duke pretenduar se e vrau të shoqen pasi kishte dyshime se ajo e kishte tradhëtuar me shokun e tij të ngushtë. Teksa planifikoi se si do të justifikonte zhdukjen e saj, Kastriot Cenko përdori celularin e viktimës për të mashtruar djemtë e tyre të mitur dhe familjarët e Albës.
39-vjeçari u dërgoi mesazh dy fëmijëve të mitur me numrin e nënës së tyre ku i shkruante: “Mami u largua për të fituar para, kam ikur larg”.
Tronditëse janë faktet që dalin nga krimi makabër në familjen shqiptare. Prej kohësh autori ishte i bindur se gruaja e tradhtonte me një shok. Ditën e krimit, 39-vjeçari deklaroi se kishte dëgjuar gruan e tij duke folur në telefon. Ai tha se mendoi që Alba Cenko po fliste me të dashurin e saj dhe vendosi t’i merrte jetën./ZËRI