Aktualitet

Vrasja e vëllait të Talo Çelës/ Vazhdon dëshmia e Dumanit: Mua s'më shkrepi arma, e qëlloi Xhixha...

Sipas asaj që ka thënë në sallë, Çela u vra nga bashkëpunëtori i tij Besmir Xhixha, pasi Dumanit nuk i kishte punuar arma e zjarrit.

k.m.
Vrasja e vëllait të Talo Çelës/ Vazhdon dëshmia e
Nuredin Dumani

TIRANË- Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, Nuredin Dumani po vazhdon dhe dëshmon sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kësaj here po flet për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela. Sipas asaj që ka thënë në sallë, Çela u vra nga bashkëpunëtori i tij Besmir Xhixha, pasi Dumanit nuk i kishte punuar arma e zjarrit.

Sipas dëshmisë, në momentin që Enver Diva qëlloi i pari, Bujar Çela mbeti i plagosur, duke qenë se Dumanit i ngeci arma Xhixha zbriti nga makina dhe qëlloi duke i marrë jetën vëllait të Talo Çelës. Po duke u bazuar tek dëshmia e Dumanit, motivi kryesor i vrasjes ishte hakmarrja për ekzekutimin e Klevis Kapllanit, një mik i tij, për të cilin dyshohej se ishte vrarë nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa.

Pas vrasjes, të tre personat u larguan në drejtim të Fushë-Krujës, ku dogjën automjetin e përdorur dhe hodhën armët në një kanal në zonën e Plepave në Durrës, për të zhdukur gjurmët.

"Vrasja e Bujar Çelës? Kisha 2 armë me vete, njërën për ta përdorur për krimin, tjetrën e mbaja si zakonisht për vetëmbrojtje dhe nuk e përdorja në ngjarje. Në krim mora pjesë me Besmir Xhixhën dhe Enver Divën. Tentova ta qëlloj Bujarin por arma nuk më shkrepi. I thashë Xhixhës të qëllonte se nuk po më shkrepte. Nuk e përdora armën e dytë sepse nuk doja ta bëja pis...."-tha Dumani në dëshminë e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi 17 shtatorit 2020, para një lokali tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 50-vjeçari Bujar Çela u ekzekutua me armë zjarri nga Dumani dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali./ZËRI

Poll

MOS HUMB