
TIRANË- Dritan Rexhepi nuk pranoi që të fliste për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës, disa vite më parë në ambientet e kompleksit "Golden". Por sot është shoqëruar forcërisht nga Policia e Shtetit për të dhënë edhe ai dëshminë e tij para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në gjyqin që po zhvillohet për kopshtarin Festim Bechdili, i vetmi i dënuar me burg përjetë për vrasjen, Rexhepi sërish ka zgjedhur heshtjen.
"Nuk dua të pyetem sepse nuk kam çfarë them,"-mësohet se është shprehur ai në sallën e gjyqit.
Ndërkohë GJKKO, rrëzoi sot kërkesën e avokatit të Bexhdilit, Ilir Muratit që ka të bëjë më këqyrjen e pamjeve filmike me ekspert. Seanca e radhës u la me 26 qershor, ora 10:00.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI