
KURBIN- Mijëra besimtarë kanë kaluar natën e mbrëmshme, në Kishën e 'Shna Ndout' në Laç. Sot është kulmi i pelegrinazhit në Laç, pas 13 të martave. Në Kishë sot do të mblidhen besimtarë të të gjitha feve, për t'u lutur. Ata besojnë në mrekullibërjen shëruese të kësaj Shenjtoreje. Dyndjet masive për në Kishën e Laçit janë të pakrahasueshme me asnjë peligrinazh tjetër në Shqipëri, duke e kthyer Laçin në kultin më të frekuentuar në vendin tonë.
Në datat 12 dhe 13 qershor, mijëra besimtarë nga Shqipëria dhe më gjerë marrin pjesë në përmbylljen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç. Pelegrinazhi, që zhvillohet çdo të martë gjatë 13 javëve të fundit, kulmon me festimet në datat 12 dhe 13 qershor, kur besimtarët kalojnë natën në ambientet përreth kishës, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm shpirtëror dhe kulturor.
Kisha e Shna Ndout është një kuvend dhe kishë katolike dedikuar Shën Antonit të Padovës, e ndërtuar dhe e shuguruar për herë të parë në vitin 1557, dhe më pas e shkatërruar në 1967 gjatë periudhës së regjimit komunist. Kisha u rindërtua pas rënies së komunizmit për t'u kthyer në vend pelegrinazhi nga njerëz pa dallim nominal fetar. Në 13 qershor 1990 besimtarët u mblodhën te rrënojat e kishës së shkatërruar në 1967, në rrezik që të akuzoheshin për "agjitacion e propagande"./ZËRI