
TIRANË-Është shtyrë seanca paraprake në Gjykatën e Tiranës ndaj të miturit Mario Përlleshaj, nën akuzë për vrasjen e bashkëmoshatarit Martin Canit. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e shokut të Martin Cani, Luis Meçe i cili mbeti i plagosur pas sherrit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Në seancë të pranishëm kanë qenë edhe prindërit e Martin Cani, Ëngjëll dhe Florina Cani. Kjo e fundit nuk komentoi çfarë ndodhi brenda sallës së gjyqit, por kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të hapura, pasi sipas saj nuk ka asgjë çfarë të mbahet sekret nga hetimi.
Floriana Cani: Unë e kam thënë dhe nuk tërhiqem derisa të vendoset drejtësia. Unë do luftoj që të dalë e drejta, prandaj kemi ardhur të vendoset drejtësia për të gjthë fëmijët. Seanca të bëhet me dyer të hapuar, nuk ka çfarë të mbajmë sekret. Seanca të zhvillohet me dyer të hapura, fëmija im të bëhet shembull për të tjerët, që kjo tragjedi të mos ndodh në familjet e tjera.
Mari Përlleshi prej nëntorit të 2024, mbahet në instuticionin e të miturve në Kavajë, pasi u arrestua pas vrasjes së bashkëmoshatarit tij në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. I mituri përballet me veprën penale "vrasje në rrethana cilësuese", vepër penale që dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI