
TIRANË- Për herë të parë emigrantët shqiptarë do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar nga jashtë. Për herë të parë do të votojnë 245,975 shqiptarë, të cilët duket se janë në “çdo cep” të botës. Në krye të listës së vendeve, ku shqiptarët kanë shfaqur më shumë interes është Italia dhe Greqia, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja, dhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Madje, ka edhe votues nga vende që nuk ua merr mendja si Bermuda, Burkina Faso, Sudani i Jugut, etj. Shpërndarja e zarfeve nisi më 14 prill, të cilët i përkisnin qarkut të Dibrës dhe Beratit. Disa emigrantë kanë ndarë edhe video në rrjetet sociale, ku njoftojnë se e kanë marrë zarfin.
Madje, më 16 prill mbërriti edhe vota e parë në vend… e cila i shkon Dibrës. Ky detaj u bë me dije nga vetë kreu i Komsionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi. Ndërsa, një ditë më parë u shpërndanë të gjithë votat për qarkun e Tiranës, ku do të votojnë për herë të parë 52428 emigrantë shqiptarë, të cilët janë regjistruar në platformën e PER. Tirana, është edhe qarku me kërkesën më të lartë për të votuar.
Por si funksionin ndarja e fletëve të votimit:
Fleta e votimit e qarkut nga ku vjen qytetari, pasi është vulosur dhe futur në një zarf të anonimizuar A, futet pastaj në një zarf më të madh B, i cili mban të dhënat e koduara të çdo zgjedhësi. Më pas kompania postare e merr zarfin B, e fut në zarfin e verdhë të postës, bashkë me një udhëzues, një listë me kontakte të kompanisë nëpër botë, si dhe një zarf tjetër postar për kthimin e votës.
Kompania postare bën mbylljen e zarfit me kodet e adresës, dhe pastaj i merr në dorëzim ato për t’i shpërndarë në 85 shtete të botës. Aktualisht janë përgatitur rreth 10 mijë sete, dhe dërgesa e parë pritet të bëhet ditën e sotme, duke shënuar për herë të parë për Shqipërinë, “votat e hershme”, pasi praktikisht nga e marta e tutje, dikush mund të votojë pa pritur 11 majin.
Janë disa qarqe si Tirana, Kukësi, Dibra, Vlora e të tjera, për të cilat ka përfunduar përgatitja e materialeve dhe ato dërgohen menjëherë me postë. Me përjashtim të pak fletëve të votimit në Fier, ka përfunduar vulosja e 245 mijë fletëve dhe futja e tyre në zarfin e parë A.
Ata që janë refuzuar, apo nuk janë regjistruar në KQZ, vijojnë ta kenë emrin në listën e zgjedhësve në Shqipëri dhe mund të vijnë fizikisht të ushtrojnë të drejtën e votës. Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, procesi i votimit nis nesër, pasi diaspora që ndodhet në Greqi e Itali do të marrë që sot fletën e votimit nëpërmjet postës. Dërgimi parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1-3 ditë. Emigrantëve shqiptarë iu sugjerohet që brenda 3 ditëve nga marrja e zarfit ta postojë në KQZ, pasi zarfet që vijnë pas orës 19:00 më datë 11 maj, nuk do të numërohen./ZËRI