
SARANDË-Jorgo Kumaraku alias Leonard Kumaraku, 48 vjeç, prej dy ditësh në kërkim është arrestuar në Durrës. Kumaraku më 2 Maj nën kërcënimin e thikës ka vjedhur në një dyqan në Sarndë shumën prej 60 mijë lekësh të reja (600 mijë lekë), si dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me shitësen e dyqanit. Shitësja 26-vjeçare si pasojë është lënduar.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga pas kërkimeve intensive 48-vjeçari që vodhi me dhunë në një dyqan në qytetin e Sarandës. Autori i dyshuar, me precedent penal në fushën e vjedhjes me dhunë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. K., 48 vjeç, person me precedent penal në fushën e vjedhjes me dhunë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 02.05.2025, në një dyqan në lagjen nr. 2, Sarandë, nën kërcënimin e një mjeti prerës (thike), ka vjedhur me dhunë shumën prej 60000 lekësh të reja nga shitësja 26-vjeçare, e cila si pasojë ka marrë dëmtime fizike. Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë ngjarje, dhe pas shpalljes në kërkim të autorit të dyshuar, Policia e Sarandës, falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi në qytetin e Durrësit. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Kush është Jorgo Kumaraku
Kumaraku nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi në vitin 2007 ka grabitur kazinon “Perla” në Sarandë, duke kërcënuar me armë lodër punonjësen. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 5 vjet burg. Ndërsa, në vitin 2008 iu gjetu në qeli një celular, për të cilin ka dhënë deklaratë të rreme duke pretenduar se ia dha një polic i paraburgimit Sarandë.
Pas dëshmisë së tij, u arrestua efektvi, por u la i lirë pasi u zbulua zbulua gënjeshtra e Kumarakut, duke bërë që ky i fundit të dënohej me 6 muaj burg. Në shtator 2013 me një pistoletë lodër dhunoi dhe grabiti punonjësen e kazino “Admiral” ne Sarandë. Një dite pas ngjarjes së Sarandës, dhunoi dhe grabiti me pistoletë lodër punonjësen e një kazinoje tek Ura e Lumit në Gjirokastër.
Ndërsa, në vitin 2022 u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për “kanosje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve te ftohta”, pasi kanosi pranë një bankomati banke punonjësen e një zyre private në Sarandë. Në korrik 2023 u arrestua për vjedhje në një hotel në fshatin Livadhja të Bashkisë Finiq./ZËRI