
VLORË-Ende asnjë autor për vrasjen e ndodhur në Vlorë mëngjesin e 27 prillit, ku u ekzekutua Renato Hoxhaj. Hetimet vijojnë, ndërsa detaj etë reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e 58-vjeçarit.
Policia e Vlorës ka dalë në përfundimin se Hoxhaj është qëlluar nga dy armë të ndryshme, kjo pasi, pas këqyrjes së trupit të viktimës, ku janë gjetur plumba të ndryshme nga arma e zjarrit. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip "Range Rover" që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë.
Në lidhje me krimin në burg ndodhet Eris Mehmetaj i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes se Renato Hoxhajt. Mehmetaj u arrestua në Tiranë pas hetimit të Policisë së Vlorës, e cila identifikoi makinën me të cilën lëvizi vrasësi. Ai rezulton mik i Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në maj 2024 në Greqi. Policia e Vlorës identifikoi makinën me të cilën lëvizi autori, ndërsa nga hetimet rezulton se këtë makinë ia kishte dorëzuar Mehmenti para krimit. Vetë Mehmetaj ka mohuar të ketë lidhje me krimin, ndërsa është shprehur se i ka lënë makinën një miku, pa e ditur se për çfarë do të përdorej më pas. Emri i “mikut” të tij nuk është bërë publik dhe po verifikohet nga hetuesit.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori i ngjarjes rezulton ende në kërkim. Vrasësi është pikasur nga kamerat e sigurisë, megjithëse është totalisht i paidentifikueshëm pasi për të konfuzuar autoritetet ka përdorur maskë silikoni për fytyrën dhe një bark artificial./ZËRI