Aktualitet

'Vllai, të kanë ardh andej, kujdes!'/ Zbardhen bisedat në "SkyECC" mes ish-deputetit Çyrbja dhe kriminelit

Jurgis Çyrbja jep "informacion sekret" për Besmir Huqin.

k.m.
'Vllai, të kanë ardh andej, kujdes!'/ Zbardhen bisedat
Jurgis Çyrbja

TIRANË- Përgjime të reja kanë dalë nga dosja e SPAK për çështjen ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, të cilët i kërkonin informacion lidhur me "fatin" e tyre. Në bisedat e zbuluara ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja jep "informacion sekret" për Besmir Huqin. Ky i fundit rezulton që të jetë arrestuar edhe njëherë tjetër, në vitin 2017, pasi u kap duke i dhënë mjetiet në gjendje të dehur, por tentoi që të shpëtonte duke korruptuar punonjësin e Policisë.

Sipas dosjes së siguruar nga "TopChannel", nga analiza e komunikimeve të zhvilluara në datë 29.12.2020, rezulton se, personi nën hetim është informuar nga shtetasi Besmir Huqi (alias Farruku), se këtë të fundit, edhe një të afërmin e tij i kishin shpallur në kërkim, lidhur me problemet ligjore që kanë patur me autoritetet italiane të drejtësisë, Por, meqenëse Besmiri nuk ishte i sigurt për arsyet e shpalljes në kërkim, ka kërkuar ndihmë nga i hetuari që të interesohej lidhur me saktësinë e informacionit që i kishin dhënë.

Në datën 29.12.2020 komunikimi mes tyre:

“Na kan qit në kërkim, kan kap erin. Nuk jam i sigurt, duhet me mor informacion”, thotë Huqi.

“Kuptoj, Ok se marr un”, thotë Çyrbja.

“Ngjo do ma shofësh emin. Të jap timin ene të Visit, Besmir. Huqi. Ergys huqi”, thotë Huqi.

Ndërsa, në komunikimet e datës 30.12.2020, i hetuari Çyrbja e informon Besmirin se, informacioni rreth tij ka qenë i saktë, pasi në ngarkim të tij kishin ardhur aktet për shpalljen e personit në kërkim nga jashtë shtetit, duke i konfirmuar dhe akuzën konkrete për të cilën ishin të shpallur në kërkim.

“Villa te kan ardh nga andej, organizat kriminale, trafik”, thotë Çyrbja.

Me urdhër të SPAK është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit, ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili dorëzoi mandatin disa ditë para se t'i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB