
TIRANË- Avokati Alban Bengasi është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Tiranë. Vetëdorëzimi është bërë një ditë pas vendimi të Gjykatës së Apelit të Posaçëm që e riktheu në burg avokatin, i cili do të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë për shkak se porositi vrasjen e ish-gruas së tij.
Bengasi u lirua në fund të korrikut pasi Shkalla e Parë ia uli dënimin deri në 1 vit e 4 muaj burg. Por Apeli vendosi ndryshe, duke i rritur kohën e dënimit me 4.6 vite burg. Si përfundim, akuza e ngritur ndaj tij është dhunë në familje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Emri i Alban Bengasit doli në pah nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili tha se avokati i ka kërkuar që të vrasë ish-bashkëshorten e tij në këmbim të 120 mijë eurove. Po ashtu, ai deklaroi para hetuesve se avokati më herët ka paguar disa persona për të dhunuar ish-bashkëshorten, akuza që janë mohuar vazhdimisht nga Alban Bengasi.
I pandehuri Nuredin Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes. Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes./ZËRI