MALIQ-Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar një vizitë në banesën e efektivit Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit të zhvilluar në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e Violand Braçellarit i cili qëlloi për vdekje policin Enea Mekolli, Dëshmori i Atdheut.
Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, ku iu nënshtrua edhe dy ndërhyrjeve kirurgjikale, Edison Adri është kthyer në shtëpi dhe vijon procesin e rikuperimit. Gjatë vizitës, Skënder Hita u takua me efektivin dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit, si dhe mirënjohjen për sakrificën dhe përkushtimin e treguar në përmbushje të detyrës.
“Edison, së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali. Kam ardhur sot këtu jo vetëm si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si një prej njerëzve të familjes së madhe të Policisë, dhe për fjalën e dhënë se do të jem krah teje, ashtu siç do të jem krah çdo punonjësi policie që punon dhe sakrifikon për ligjin dhe qytetarët. Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë. Jam shumë i kënaqur që sot po të shoh këtu, në shtëpinë tënde, duke u rikuperuar. E di që vuajte shumë dhe se rruga e rikuperimit kërkon kohë dhe forcë, por dua të dish se nuk je vetëm. Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë pranë teje dhe vlerësojnë e mbështesin çdo sakrificë që i shërben sundimit të ligjit. Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë. Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve”, tha Skënder Hita.
Gjithashtu nuk mungoj edhe falenderimi i Edisonit për drejtorin e Përgjithshëm Skënder Hitaj për vizitën dhe mbështetjen, si edhe te gjithe ata qe kontribuan për trajtimin e tij jashtë shtetit.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor më 4 qershor
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur më 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI