DURRËS- Policia e Durrësit ka arrestuar sot një 34-vjeçar në Mamias, i cili tarfikonte armë nga Kosova për t’i shitur më pas tek grupet kriminale.
Gjatë kontrollit në makinën e tij, u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Policia ka zhvilluar kontrolle edhe në banesën e 34-vjeçarit në Kukës, ku iu gjet dhe një dorezë hekuri.
Në makinën që po transportonte armë, ishte dhe pasagjerja nga Kosova, e cila u arrestua për moskallëzim krimi. Autoritetet kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Hallkat”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit, nga Kosova, me qëllim shitjen grupeve kriminale.
Sekuestrohen 3 pistoleta, dhjetëra fishekë luftarak, 1 automjet dhe 1 armë e ftohtë.
Arrestohet në Maminas, shtetasi që transportonte armët e zjarrit, me automjet.
Në pranga edhe pasagjerja, banuese në Kosovë, për moskallëzim të krimit.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet konstatimit dhe goditjes së rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit, në Shqipëri, me qëllim shitjen grupeve kriminale në qytete të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Hallkat”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe shtetasja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta) dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Më tej, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjet 1 armë e ftohtë (dorezë hekuri).
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI