
TIRANË- Ceremonia funerale e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, do të zhvillohet të enjten, më 30 janar, në Shqipëri, ku edhe do të prehet trupi i tij. Arkëmorti i kryepeshkopit pritet të transportohet përmes rrugës tokësore drejt Shqipërisë, ndërsa homazhet do të mbahen në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë.
Kështu u vendos në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu, u caktua që për 5 ditë të ketë zi kishtare.
Njoftimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë:
Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh si Mbikëqyrës (Locum Tenens) i Fronit Kryepiskopal deri në zgjedhjen e një Kryepiskopi të ri.
Shpallja e zisë kishtare për pesë ditë, nga data 25 deri më 29 janar 2025. Homazhet do të nisin të martën, më 28 janar, në ora 16:00, para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Besimtarët do të kenë mundësi ta nderojnë Kryepeshkopin e ndjerë gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së mërkurë, më 29 janar. Shërbesa e varrimit do të kryhet të enjten, më 30 janar, në ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore. Në përfundim të mbledhjes, Sinodi i Shenjtë kreu një shërbesë përshpirtjeje dhe ftoi të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Kryepiskopit të ndjerë.
Trupi i pajetë i tij do të vijë në vendin tonë të martën. Kryepeshkopi ishte shtruar në një spital në Athinë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por mëngjesin e të shtunës ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare./ZËRI