
TIRANË- Më shumë se 70 mijë emigrantë shqiptarë kanë aplikuar për t’u regjistruar në zgjedhjet e parlamentare të 11 majit. Bëhet me dije se deri më tani janë pranuar 43 mijë kërkesa dhe janë refuzuar mbi 25 mijë, pothuajse 36% e personave që kanë aplikuar. Komisioni Qendror Zgjedhor shprehet se problemi qëndron tek dokumenti që provon adresën se ku jeton votuesi shqiptar në diasporë.
Italia është në krye të listës për emigrantët më të regjistruar, por edhe më të refuzuar me mbi 9 mijë persona, ose 44 % të të gjitha aplikimeve të gabuara. Shqiptarët e Italisë vijojnë të ngarkojnë gabim dokumentin italian të adresës, duke mos fotografuar faqen e pasme të saj. 6 mijë refuzime janë nga Greqia, ndërsa shqiptarët e Gjermanisë janë refuzuar në 2600 raste. Sipas qarqeve, zgjedhësit e refuzuar kryesojnë me Tiranë, 3500 votues që nuk ja kanë dalë, të ndjekur me po aq nga Fieri dhe 2 300 të tjerë nga Korça. /ZËRI