TIRANË– Prokuroria e Tiranës ka vendosur të zgjasë edhe me tre muaj afatin e hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas vendimit, organi i akuzës vlerëson se janë të nevojshme veprime të tjera procedurale dhe hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, Elvis Shkambit, i dyshuar si autor i krimit, ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të Qarkut që miratoi propozimin për shpalljen e gjyqtarit të ndjerë me titullin "Dëshmor i Atdheut". Sipas mbrojtjes, një vendim i tillë nuk mbështetet në një bazë të plotë ligjore, pasi procedimi penal është ende në vijim dhe nuk ka një vendim të formës së prerë që të përcaktojë përgjegjësinë penale. Avokati argumenton se, për sa kohë procesi gjyqësor nuk ka përfunduar, nuk plotësohen kushtet ligjore për dhënien e këtij statusi.
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI


