
LONDËR- Pas arrestimit të Almir Gjidiaj në Kolumbi disa ditë më parë, vëlla i tij, Alban Gjidiaj, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme është arrestuar në Londër, Angli. Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK në bashkëpunim me Interpol Tiranën është bërë i mundur arrestimi i 28-vjeçarit në Londër. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi kriminal, të cilët në Prill të vitit 2023 tentuan të transportojnë armë drejt Britanisë së Madhe. Autoritetet britanike arrestuan 28-vjeçarin në zonën Barnet në veri të Londrës. Gjidiaj depozitoi një kërkesë në Gjykatën e Londrës që procesin e ekstradimit ta ndjekë me kusht dhe dorëzoi pasaportën e tij dhe një garanci monetare 5.000 paund ofruar nga një i afërm. Ai do të rikthehet në këtë gjykatë më 26 Shkurt, për seancën e tij.
Në Gusht të vitit të shkuar përmes operacionit ‘Inkorporimi’ prokurorët e SPAK dhe Agjentët e BKH në bashkëpunim ne skuadrën operacionale arrestuan në Tiranë tre persona. Gjatë operacionit u sekuestruan një sasi armësh që ishin fshehur nëpër mobiliet që do të transportoheshin me furgonë drejt Anglisë. Autoritetet sekuestruan 25 armë zjarri qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike.
Në operacionin e kryer në Tiranë u arrestuan Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj. Tre të tjerë u shpallën në kërkim dy prej të cilëve njëri në Kolumbi, Almir Gjidiaj dhe vëllai i tij Alban në Londër. Almir Gjidiaj qëndronte i fshehur në një hotel në ishujt Rosario. Kur policia ka ndërhyrë për ta arrestuar, ai ka tentuar që të arratiset, por është kapur në oborrin e hotelit. 33-vjeçari drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Armët shkonin për mafien shqiptare të ‘Kartelit Ballkanik’ në Britani. /ZËRI