
TIRANË-Është arrestuar nga Policia kolumbiane, në qytetin e Kartagjenës, 33-vjeçari nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve. Almir Gjidiaj qëndronte i fshehur në një hotel në ishujt Rosario. Kur policia ka ndërhyrë për ta arrestuar, ai ka tentuar që të arratiset, por është kapur në oborrin e hotelit. Gjidiaj drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Armët shkonin për mafien shqiptare të ‘Kartelit Ballkanik’ në Britani.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i koduar “Kartagjena”, rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, për vendndodhjen e një të kërkuari nga drejtësia shqiptare.
Kapet nga Policia kolumbiane, në qytetin e Kartagjenës, 33-vjeçari nga Tropoja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO, si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, nëpërmjet Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit policor “Kartagjena”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në qytetin e Kartagjenës, nga Policia kolumbiane, shtetasi A. Gj., 33 vjeç, lindur në Tropojë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve. Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit A. Gj., në Shqipëri.
Almir Gjidiaj rezulton në të njëjtin grup me te arrestuarin tjetër në gusht të vitit të shkuar, Admir Tutaj, i cili u ekstradua drejt vendit tonë.
Emri i Almir Gjidiajt shfaqet për herë të parë edhe në vitin 2011, kur një sasi tritoli shpërtheu në dritaren e një apartamenti në Tiranë, ku jetonin me qira 4 të rinj nga Tropoja. Pas shpërthimit në rrugën "Naim Frashëri", gjatë kontrollit u gjetën edhe 4,5 kg hashash. Në pranga në atë kohë ra edhe Almir Gjidiaj, 19 vjeç në momentin e kapjes, bashkë me Jetmir Katana, 16 vjeç, Ardit Ymaj, 25 vjeç dhe Rinor Osmanaj, 26 vjeç./ZËRI