
TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e 25-vjeçarit Admir Tutaj për t'i vendosur një masë më të butë sigurie se ajo që po vuan aktualisht, "arrest me burg". Në seancën e sotme në Apel, gjyqtarja Saida Dollani vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë. Edhe pse i riu i ekstraduar nga Kolumbia kërkoi "arrest shtëpie".
Arrestimi i tij u bë pasi ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nën akuzën e trafikut të armëve. Mediat kolumbiane raportojnë se Tutaj drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen në treg të zi të armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë, të cilat përdoreshin nga grupet mafioze shqiptare.
Ndaj Tutajt, u lëshua urdhër arresti pasi në prill të vitit të kaluar, tentoi të trafikonte 7 pistoleta nga Durrësi në Britaninë e Madhe. Armët e zjarrit dyshohej se i përkisnin grupit kriminal në të cilin ai bënte pjesë. Në korrik të këtij viti, SPAK, lëshoi urdhër ndërkombëtar arresti për 25-vjeçarin. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë./ZËRI