
TIRANË-Trupi i ndjerë i Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë ditën e shtunë më 25 janar në Athinë, pritet të mbërrijë në Tiranë të martën në ora 16:00 në Katedralen 'Ngjallja e Krishtit'. Trupi i pajetë është nisur nga Athina nën tingujt e bandës së marinës. Ai do të sillet me rrugë rrugore, nëpërmjet stacionit kufitar të Kakavijës. Trupi i tij do të shoqërohet nga mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit Nikolaos, peshkopi Krougias Anastasios dhe priftërinjtë Fr. Charalambos Giokas dhe Fr. Spiridon Topantzas, të cilët ishin bashkëpunëtorët dhe shokët e tij të ngushtë në ringjalljen e Kishës së Shqipërisë pas disa dekadash diktature. Ndërkohë shërbesa e varrimit do të kryhet të enjten, më datë 30 janar ora 11:00.
Pjesëmarrës do të jenë delegacione të nivelit të lartë nga Vatikani si dhe nga Kishta botërore. I pranishëm pritet të jetë edhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025.
Aktualisht trupi i Kryepiskopit Anastas ndodhet në Katedralen e Mitropolisë së Athinës, ku një ditë më parë (26 janar) u krye edhe shërbesa e Përshpirtjes. Personazhe të rëndësishme publike, patën mundësinë t’i jepnin lamtumirën, mes tyre Fredi Beleri dhe Pirro Dhima. Në ceremoni nuk mungoi kryeministri i Greqisë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i shoqëruar nga disa prej ministrave të tij, si dhe gjeneralët më të lartë të ushtrisë greke.
Ndërkohë me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme Mitropoliti i Korçës, Joani, u zgjodh Mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit. Sinodi i Shenjtë shpalli gjithashtu pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991./ZËRI