TIRANË-Sot, në GJKKO do të mbahej seanca e radhës paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 10 tetor, por u shty si shkak i bojkotit të avokatëve pas vrasjes së gjyqtarit, Astrit Kalaja.
Në fakt edhe sot seanca është shtyrë sërish për shkak se avokatët njoftuan 5 ditë bojkot deri më 25 tetor, pas arrestimit të avokatit Ulian Barjamit për kërcënim të prokurorit Gjergji Ceka gjatë një seance në gjykatën e Elbasanit. Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës nuk u paraqitën për shkak të bojkotit, ndërsa në gjykatë shkoi biznesmeni Elman Abule, i marrë i pandehur me akuzën e pastrimit të parave. Seanca e radhës është caktuar më 28 tetor. Avokati u lirua ditën e djeshme (20 tetor) me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit.
Për dosjen Veliaj, përveç kryebashkiakut të Tiranës, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, janë marrë të pandehur janë edhe 28 persona dhe shoqëri, përfshirë ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale.
Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.
Ndërkohë Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt./ZËRI
