Aktualitet

E kërcënoi? Avokati Ulian Barjami flet pas lirimit: Prokurori e mori personale, më sekuestruan telefonin

Avokati shpjegoi se si ishte ndaluar me iniciativë të oficeres së policisë gjyqësore

F.I
E kërcënoi? Avokati Ulian Barjami flet pas lirimit: Prokurori e mori
Gjergji Ceka dhe Ulian Barjami

TIRANË-Avokati Ulian Barjami pas lirimit nga burgu ka deklaruar se nuk ka përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo jo profesionale ndaj prokurorit, Gjergji Ceka gjatë seancës gjyqësore në Elbasan. Barjami tha se ishte prokurori ai që “e mori personale” dhe u shpreh në sallën e gjyqit duke thënë “unë do e arrestoj” për të. 

Avokati shpjegoi se si ishte ndaluar me iniciativë të oficeres së policisë gjyqësore, një procedurë që sipas tij është e paligjshme dhe njoftoi se ditën e ndalimit i kanë sekuestruar edhe telefoni.

“Nuk kam përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo fjalë jo –profesionale. Kur u hapën pamjet filmike u kuptua se kishte mospërputhje. Kishte pasaktësi për atë çfarë ishte raportuar. Prokurori ka përdorur shprehjen “unë do ta arrestoj”, mesa duket e ka marrë personale. Veprimet e mija ishin ligjore. Unë jam thirrur të nesërmen nga oficerja e policisë gjyqësore, deri në atë moment nuk ka patur asnjë kallëzim. Më ka thirrur dhe më ka thënë dua të të takoj lidhur me një sqarim. Dua të sqaroj se kush ka qenë ideja apo kuptimi i kësaj shprehjeje. E sqarova për atë kuptim që kishte realisht. Pastaj u largova dhe më ka komunikuar dhe më ka thënë do të të ndaloj me një urdhër. Është praktikë e paligjshme, arrestimi me nismë të policisë gjyqësore, ndodh vetëm në rastin e flagrancës. Ditën e ndalimit më është sekuestruar vetëm telefoni, asgjë tjetër,"- u shpreh avokati në emisionin “Breaking” në Top News.

Avokati u arrestua më 17 tetor, pas kallëzimit të prokurorit Gjergji Ceka, i cili pretendoi se Barjami e ka kërcënuar dhe akuzuar për falsifikim provash dhe u lirua sot me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit.

Konkretisht në seancën e 17 tetorit, Ulian Barjami ishte avokati mbrojtës i Maksim Likës, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit. Akuza ndaj Likës përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka. Avokati pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, ka deklaruar gjatë seancës se provat janë të falsifikuara dhe se do të depozitojë një kallëzim kundër prokurorit. Nga ana tjetër prokurori Ceka, replikoi me avokatin Barjami duke e paraljamëruar se do të arrestohej./ZËRI

Poll

MOS HUMB