
DURRËS- Xhemal Loka do të vuajë dënimin me 10 vite burg për shtyrjen drejt vetëvrasjes së bashkëshortes së tij. Gjykata e Durrësit ka vendosur që të shpallë fajtor Lokën për dy vepra penale, atë të "shkaktimit të vetëvrasjes" dhe "armëmbajtje pa leje". Gjatë procesit, Xhemal Loka kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, por kërkesa e tij është refuzuar nga togat e zeza.
Nëna e katër fëmijëve i dha fund jetës vitin që lamë pas, pas një ngarkese të rënduar psikologjike, që pikën e nisjes e pati në Tik Tok, dhe përfundimin e pati te dhuna në familje. Bedrie Loka, i dha fund jetës në fillim të muajit Janar, duke pirë fostoksinë, e duke lënë pas hije dyshimi të ditëve të saj të tmerrit, nga dhuna e bashkëshortit të saj. Xhemal Loka, bashkëshorti i të ndjerës u arrestua disa ditë pas ngjarjes pas dëshmive të fëmijëve për dhunën që kishte ushtruar ndaj nënës së tyre. Sipas familjarëve, zënkat ishin shtuar pas një llogarie fake që i ishte hapur të ndjerës në rrjetet sociale, ku ndaj saj përdorej një gjuhë denigruese.
Familja e bashkëshortit deklaroi se profili i ishte hapur Bedries nga kushëria e saj, ndërsa kishte raportime se diçka e tillë i ishte bërë nga koleget, në një fabrikë ku ajo punonte në zonën e Fllakës. Vetë Bedria e kishte denoncuar rastin në Policinë e Durrësit, që nuk e ka zbardhur as sot e kësaj dite hapjen e profilit. Kjo ishte ngjarja e parë që risillte në vëmendje pafuqinë e policisë dhe prokurorisë për të gjurmuar rrjetet sociale që hapen, duke keqpërdorur të dhënat personale, apo fotot e personave të pafajshëm.
Por përveç përndjekjes në rrjetet sociale, Bedrie Loka vuante edhe nga dhuna në familje. Në këto kushte, vendosi që të ndërmerrte aktin e rëndë, atë të vetëflijimit duke lënë pas 4 fëmijë; 2 prej tyre në moshë të mitur.
Njoftimi i Gjykatës:
Lidhur me kërkesën tuaj të datës 05.02.2025 për informacion lidhur me ngjarjen (shkaktim i vetëvrasjes së të ndjerës B.L), në kuadër të interesit publik, kërkoni informacion mbi çështjen në shqyrtim pranë kësaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, nga verifikimet e kryera në Sistemin ICMIS rezulton se: Pranë kësaj Gjykate është regjistruar çështja penale Nr. 835 Akti, me objekt: “Akuzuar per veprat penale”Shkaktim i vetevrasjes”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve,armeve shperthyese dhe i municionit”dhe “Mbajtja pa leje dhe proidhimi i armeve ,armeve shperthyese dhe i municionit”,parashikuar nga nenet 99,278/4 dhe 278/3 te K.Penal ne ngarkim te pandehurit Xh. L.”
Gjyqtari i çështjes- Sh.Liçaj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka vendosur: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim. 3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim. 4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. 5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë. 6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë. 7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë. 8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit. 9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, shpreh gatishmërinë maksimale në kuadër të bashkëpunimit me Median, si dhe mbetemi të gatshëm për çdo sqarim apo eventualitet të mundshëm./ZËRI