Aktualitet

“Tarifa për palestinezët”/ Gazetari izraelit: Trump do të ndjekë të njëjtin skenar me Kolumbinë nëse Shqipëria i refuzon!

Trump po ashtu bëri të ditur se më shumë se 1 milion palestinezë do të zhvendosen nga Gaza

I.F
“Tarifa për palestinezët”/ Gazetari izraelit: Trump do
Edi Rama dhe Donald Trump

TIRANË- Presidenti i SHBA-ve Donald Trump gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu bëri të ditur planin e tij për Rripin e Gazës. Trump tha se baza e ushtarëve amerikanë do të vendoset në Gaza dhe vetë do të merret me rindërtimin e vendit që është shkaktuar nga lufta me Izraelin. Trump po ashtu bëri të ditur se më shumë se 1 milion palestinezë do të zhvendosen nga Gaza duke sugjeruar që Egjipti dhe Jordania t’i strehojnë ata.

Por, të dy vendet fqinjet e kanë refuzuar këtë kërkesë të Trump, por presidenti republikan nuk tërhiqet nga plani i tij duke thënë me vendosmëri të plotë se ata “do ta bëjnë”. Por, përtej Lindjes së Mesme, një skenar i ri hyri në skenë: Strehimi i palestinezëve në Shqipëri! Ky lajm u raportua nga gazetari izraelit Amit Segal, i cili përmes një postimi në rrjetin social X tha se mbi 100 mijë palestinezë do të strehohen në Shqipëri. Sipas tij, administrata e Trump është duke komunikuar me qeverinë shqiptarë për t’i strehuar.

"Ndalesa e radhës Shqipëria?

Administrata e Trump është duke biseduar me qeverinë e Shqipërisë për të pranuar 100 mijë emigrantë nga Gaza në vend. Sipas burimeve izraelite, Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë dhe vendet si Shqipëria dhe Indonezia janë më të favorshme", thuhej në postim.

Menjëherë pas kësaj, reagoi edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se kjo është një gënjeshtër dhe se Shqipëria nuk do të pranojë refugjatët palestinezë. Rama se ndaj Shqipërisë nuk është bërë një kërkesë për të pranuar refugjatë, por vendi ynë nuk mund t’i pranojë.

“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme prej shumë kohësh dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Nuk është absolutisht e vërtetë. Respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është shkatërruar nga regjimi i egër i Hamasit dhe ka duruar një luftë djallëzore pas tmerreve të 7 tetorit. Por më lejoni të jem i qartë: Shqipërisë nuk i është bërë nga askush kjo kërkesë dhe as ne nuk mundemi, madje as ta marrim përsipër një përgjegjësi të tillë. Jemi krenarë për miqësinë tonë të fortë me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë. Por Shqipëria nuk është në Lindjen e Mesme, por në zemrën e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë. Megjithatë, ne dëshirojmë dhe lutemi që popullit palestinez t'i jepet shansi të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën sundimin demokratik, dhe që Hamasi të mos jetë më kurrë në gjendje të dëmtojë Izraelin, mbi të gjitha, vetë palestinezët”, shkruan Rama.

Por, në një intervistë të fundit Segal tha se nëse Shqipëria nuk pranon refugjatët palestinezë, Trump do të ndjekë po të njëjtin skenar me vendin njëlloj si me Kolumbinë: TARIFA! Trump e kërcënoi Kolumbinë me 25% tarifa nëse nuk pranon emigrantët e dëbuar, gjë që detyroi vendin të pranojë kërkesat e Trump, sipas gazetarit izraelit e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Shqipërinë.

“Segal sugjeroi gjithashtu që nëse shqiptarët do të kundërshtonin pritjen e 100 mijë arabëve të Gazës në tokën e tyre, Trump do t'u bënte atyre atë që bëri me Kolumbinë një ditë më parë, duke vendosur tarifa për kafenë e tyre për refuzimin e marrjes së aeroplanëve me emigrantë të paligjshëm nga SHBA. Kolumbianët u dorëzuan”, thuhet në një artikull nga Jewish Press.

Por, kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot në lidhje me këtë lajm, në episodin e radhës të “Sy m’Sy” duke thënë se kjo është një gënjeshtër që duket se po bën xhiron e botës.

"Kështu ka ardhur një zë nga këneta, jo nuk është e vërtetë, një sajesë që mori rrugën siç marrin zakonisht sajesat. Kur e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, ky është sot realiteti e përditshmëria jonë”, tha Rama.

Në lidhje me këto lajme, kryeministri akuzoi opozitën se po fabrikon gënjeshtra./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB