
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë episodit të radhës në “Sy m’Sy” iu është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Kryeministri u pyet nëse Shqipëria do të strehojë refugjatët palestinezë, ashtu siç u raportua nga gazetari izraelit, Amit Sega. Rama e përgënjeshtroi sërish këtë lajm duke thënë se është një sajesë, që është krijuar nga “këneta”, duke iu referuar opozitës.
"Kështu ka ardhur një zë nga këneta, jo nuk është e vërtetë, një sajesë që mori rrugën siç marrin zakonisht sajesat. Kur e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, ky është sot realiteti e përditshmëria jonë”, tha Rama.
Më tej, kryeministri ka bërë batuta në lidhje me ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke e quajtur atë “ëmbëlsirë”.
Një nga qytetarët e pyeti kryeministrin nëse do të bëjë ëmbëlsirë për shqiptarët që e duan, por ky i fundit iu përgjigj se “Lul Bashën kemi pasur omëlsinë”.
“Lul Bashën kemi pasur omëlsinë, ndaj jo rastësisht tortën e bëri Lul Basha. Nga të gjitha ato që tha vetëm një tortë ka bërë. O Lul ku je se sa herë më kujtojnë ty kam një nostalgji një përvëlim”, përgjigjet Rama./ZËRI