Politikë

“Qeveria i harroi fermerët”/ Berisha: Prodhimi më i rëndësishëm ka qenë kanabisi

Lideri i opozitës premtoi se me ardhjen e demokratëve në pushtet, çdo fermer do të përfitojë pension dhe çdo i moshuar do marrë minimumin jetik.

F.I
“Qeveria i harroi fermerët”/ Berisha: Prodhimi më i
Sali Berisha

TIRANË-Partia Demokratike prezantoi këtë të mërkurë programin për Bujqësinë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij hodhi akuza se që nga viti 2015, sipas tij “për qeverinë prodhimi i vetëm i rëndësishëm është kanabis dhe droga”. 

Berisha tha se për Shqipërinë bujqësia, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë është i një rëndësie themelore në shumë aspekte. Ai tha se sektori i bujqësisë është kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit, rreth 20%. Lideri i opozitës premtoi se me ardhjen e demokratëve në pushtet, çdo fermer do të përfitojë pension dhe çdo i moshuar do marrë minimumin jetik.

Fjala e plotë:

Për Shqipërinë sektori i bujqësisë, bujqësia, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë është i një rëndësie themelore në shumë aspekte. Së pari, ky sektor është si i tillë kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit. Ky sektor, i cili jep rreth 20% të prodhimit të brendshëm të vendit, sipas një studimi të Bankës Botërore ka marrë gjithësej 0.19% të prodhimit të brendshëm të vendit, të GDP-së, pra nuk ka marrë asnjë 1/100 e asaj që jep. Dhe ky dispoporcion i financimit të këtij sektori dëshmon qartë injorimin e plotë tij nga qeveria aktuale. Për këtë qeveri, që nga viti 2015 prodhimi i vetëm i rëndësishëm është kanabis dhe droga. Nuk keni dëgjuar ju ndonjëherë ministrat, as kreun e tyre të flasë as për lopën, as kanalet vaditëse, të flasë për qumështin, vezët, apo fermerin. E keni dëgjuar me mijëra herë të flasë për drogën dhe kanabisin. E keni dëgjuar dhe është dokumentuar se, ky mendjeprishur konsideron të dobishme tokën e Shqipërisë për t’u mbjellë me drogë dhe jo me prodhimet e saj më të mrekullueshme, të cilësisë së lartë, të llojeve nga më të ndryshmet. Por, siç del nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave për të droga është para, dhe o burra, të kujdesemi për të. U injorua në mënyrë totale toka, e cila është një pasuri themelore e çdo vendi. Masat për mbrojtjen e tokës janë inekzistente. Ky njeri që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim, ju kujtohet kur fliste për rrugicën që do ta çonte tek ara dhe ujin që do të çonte tek çdo bimë? Shqipëria, jo që nuk shtoi sipërfaqe vaditëse, por e reduktoi sipërfaqen. E vërteta është se, për herë të parë në dekada, vitin e kaluar prodhimi bujqësor ra në mënyrë të ndjeshme. Kurse, prodhimi në tërësi dhe ai industrial ka 3 vite që bie çdo vit e më poshtë. Ka 3 vite që Shqipëria rrudhet si një vend prodhues, dhe mbetet vend shërbimesh dhe vend i ndërtimit ku, monumentet e drogës dhe korrupsionit zënë hapësirat dhe frymëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në qytetet e mëdha të vendit. Fermerit do t’i vendoset pensioni, çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik. 

Poll

MOS HUMB