Aktualitet

Zjarri tek QSUT, denoncimi i qytetarit: Kaos dhe panik tek pacientët, askush nuk na informon!

Qytetari tha se zjarri përfshiu të gjithë pavijonin, por autoritetet nuk dhanë asnjë udhëzim dhe nuk u informuan.

I.F
Zjarri tek QSUT, denoncimi i qytetarit: Kaos dhe panik tek pacientët,
Pamje nga vendngjarja

TIRANË- Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme bodrumi i Spitalit Psikiatrik në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë u përfshi nga flakët. Sipas denoncimit të një qytetari për “JOQ Albania”, ashensori nuk punonte dhe në ambientet e spitalit dëgjoheshin ulërimat e pacientëve. Qytetari tha se zjarri përfshiu të gjithë pavijonin, por autoritetet nuk dhanë asnjë udhëzim dhe nuk u informuan.

“Ka rënë zjarr te psikiatria në QSUT. Këta tallen, as informacion të saktë nuk japin! Kemi familjarët këtu dhe na thanë të nxjerrim jashtë pacientët. Ku dhe si t’i nxjerrim kur të gjithë janë me oksigjen në neurologji? Zjarri ka rënë që në orën 10:00, tymi përfshiu gjithë pavijonin e neurologjisë. Ashensori nuk punonte dhe vetëm dëgjoheshin të bërtiturat e pacientëve nga spitali psikiatrik. Askush nuk na dha asnjë udhëzim!”, thuhet në denoncim.


Për këtë ngjarje reagoi edhe Policia, e cila përmes një deklarate tha se zjarri dyshohet se u shkaktua nga një shkëndijë elektrike dhe raportohet vetëm për dëme materiale.

“Më datë 05.02.2025, rreth orës 21:50, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike ka rënë zjarr në bodrumin e Spitalit Psikiatrik. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.

Ndërsa, QSUT lajmëroi se në bodrum ka pasur prani tymi, por ekipi specialist dhe stafi mjekësor ndërhynë menjëherë dhe puna vijoi pa asnjë problem.

“Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:45, në katin -1 të Spitalit të Neurologjisë është konstatuar prani tymi, pa asnjë rrezik për pacientët apo stafin. Stafi mjekësor dhe ekipet teknike kanë ndërhyrë për të vlerësuar situatën dhe garantuar vijimin normal të shërbimit. Aktualisht në ambientet e spitalit nuk ka asnjë rrezik pêr pacientët apo personelin dhe puna vijon pa asnjë pengesë. Autoritetet përkatëse janë njoftuar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe për të siguruar që gjithçka është në parametra të sigurt”, njofton QSUT.

Kjo nuk është hera e parë që bie zjarr në QSUT, pasi pothuajse një vit më parë në datë 11 shkurt flakët Qendrën Spitalore shkaktuan kolaps në repartin e urgjencave pacientët u detyruan të merrnin trajtim mjekësor në spitale të tjera. Të gjithë personat, që kanë urgjenca kardiake, apo të sëmundjeve të brendshme, janë referuar në spitalin e Traumës, spitalin Shefqet Ndroqi, por edhe spitalet rajonale të Shkodrës, Lezhës dhe Fierit./ZËRI

Poll

MOS HUMB