
TIRANË-Nën masa të rrepta sigurie Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Armis Stafa janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri. Siç shihet dhe nga pamjet, ata janë sjell në Shqipëri me rrobat e trupit, të veshur me shapka dhe tuta të shkurtra. Ata strehoheshin në Dubai, duke shfrytëzuar mungesën e një marrëveshje ekstradimi me vendin tonë.
Dumani akuzohet për vrasje dhe vjedhje, ndërsa Stafa akuzohet se ka pastruar paratë e grupit Çopja në Elbasan. Për të 'ligjëruar' paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja përdorte një mjet të shitblerjes së automjeteve. Stafa u arrestua në Dubai në 27 maj.
NJOFTIMI:
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare. Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 2 shtetas të shumëkërkuar, pjesëtarë të një organizate kriminale që akuzohet nga GjKKO, për kryerje të krimeve të rënda.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi solid të realizuar nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
٠në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
٠në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.