FIER- Valbona Rama bashkëshortja e të ndjerit Anesti Rama, i cili u mbyt për vdekje me tel nga vajza e tij 26-vjeçare është arrestuar. Fillimisht gruaja e të ndjerit u ndalua nga autoritetet, por nga hetimet dyshohet se pas vrasjes, 53-vjeçarja së bashku me të bijën tentoi të fshehë ngjarjen duke pastruar trupin e viktimës. Nëna e të resë ka mohuar përfshirjen në ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau me mjet strangulues, për motive të dobëta, babanë e saj. Arrestohet nëna e 26-vjeçares, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale në lidhje me këtë ngjarje të bashkëshortes së shtetasit A. R., shtetases V. R., 53 vjeçe, të shoqëruar në Polici menjëherë pas ngjarjes, informojmë se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçares, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pas vrasjes, shtetasja V. R. ka ndihmuar vajzën e saj, për të pastruar trupin e 56-vjeçarit, me qëllim që të mos zbulohej e vërteta dhe humbja e jetës të dukej aksidentale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Krimi i rëndë në familjen Rama fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale, por vetëm një ditë më vonë më 24 korrik u zbulua se Emelinda Rama, 26 vjeç, mbyti me tel babanë e saj, Anesti Rama, 56 vjeç, në banesën ku jetonin së bashku në fshatin Frashër të Fierit. Vajza u arrestua në flagrancë. Nga këqyrja e kufomës u konstatuar se trupi i pajetë ishte larë e pastruar me qëllim për të fshehur gjurmët. Emelinda Rama ka pranuar krimi, teksa ka thënë se babai i saj ishte fanatik dhe kjo është arsyeja pse ajo ndërmori aktin ekstrem. Do të jenë ekspertët e Mjekësisë Ligjore ata që do të përcaktojnë konkretisht se nga i ka ardhur vdekja 56 vjeçarit, që iu mor jeta në shtëpinë e tij./ZËRI