
TIRANË- Policia e Shtetit ka hapur një tender për veshje, këpucë, grada dhe të gjitha aksesorët që i duhen veshjes së një efektivi. Për blerjet, është hapur një tender me fond limit 27.2 milionë euro. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur tenderin më 11 prill dhe për të priten oferta deri më 19 maj të këtij viti. Sipas të dhënave që janë afishuar në faqen zyrtare të APP-së, tenderi është i ndarë në dy lote.
Loti i parë, me vlerë 19.6 mln euro, parashikon blerjen për uniforma, grada, stema dhe shenja për Policinë e Shtetit; ndërsa loti i dytë përfshin blerjen e shpërndarjes së këpucëve për Policinë e Shtetit. Sipas dokumenteve të tenderit do të blihen 78.150 uniforma bazë për efektivët e Policisë së Shtetit, 4.545 kostume bazë (këmishë, jelek, pantallona, kapele etj), si dhe 62,100 këmisha e pulovra, etj.
DETAJE NGA TENDERI:
Vlera e fondit limit total për Lotin I: “Blerje dhe shpërndarje uniforma, grada, stema dhe shenja për Policinë e Shtetit” është 1,962,264,441.82(një miliard e nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy milion e dyqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind e dyzet e një pikë tetëdhjetë e dy) lekë pa TVSH dhe 19,836,882.75 (nëntëmbëdhjetë million e tetëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e dy pikë shtatëdhjetë e pesë) Euro pa TVSH.
Vlera e fondit limit total për Lotin II: “Blerje dhe shpërndarje këpucë për Policinë e Shtetit” është 761,954,415.63 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e një million e nëntëqind e pesëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e tre) lekë pa TVSH dhe 7,702,733.68 (shtatë million e shtatëqind e dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre pikë gjashtëdhjetë e tetë) Euro pa TVSH.
Për veshjet që u duhen efektivëve të Policisë, janë bërë edhe skica të veshjeve dhe po ashtu janë detajuar edhe materialet që duhen përdorur për të gjitha artikujt.
Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që punonjësit e Policisë të furnizohen sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti./ZËRI
DOKUMENTI I PLOTË MË POSHTË ↓