TIRANË- Efektivi i Shqiponjave, Enea Mekolli, "Dëshmor i Atheut", i vrarë një ditë më parë gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuari u përcoll për në banesën e fundit. Mes lotësh, familjarë, miq dhe kolegëve u mblodhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit.
Që prej orës 10:00 janë mbajtur homazhe pranë Qendrës Kulturore "Lasgush Poradeci" në Pogradec, ku miq e kolegë dhe drejtues të larë të shtetit u mblodhën për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.
Presidenti Bajram Begaj ishte i pranishëm në homazhe, ku xhaxhai i efektivit të ndjerë, i kërkoi kreut të shtetit që të merren masa dhe të luftohet krimi, që sipas tij, ka prekur çdo cep të vendit. Me lot në sy, ai i tha Begajt se u është mbyllur dera e shtëpisë dhe se krimi po sundon vendin.
Pas ceremonisë së homazheve, arkmorti përcillet për në banesën e fundit në fshatin Blacë, në fshatin e tij të lindjes. Familja e tij kërkoi që i ndjeri të mos varroset në Varrezat e Dëshmorëve, siç e parashikon statusi për Dëshmorët e Atdheut, por në fshatin e tij. Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga nje sëmundje e rëndë me leuçemi, gjithashtu efektiv policie. Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur një ditë më parë 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI
