TIRANË- Hetimet për ngjarjen e rëndë në Lozhan vijojnë ende, ndërsa detaje të reja nxjerrin në pah elemente shqetësuese dhe një hije skandali rreth autorit të ngjarjes, Violand Braçellari, i cili qëlloi për vdekje policin Enea Mekolli.
Sipas burimeve të ZËRI-t, 43-vjeçari Braçellari, një person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim prej rreth 9 vitesh nga autoritetet, rezulton se ka përfituar fonde nga AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive. Bëhet fjalë për të njëjtat stalla që u shndërruan në skenën e krimit, ku Braçellari fshihej dhe më pas sulmoi me armë policinë, duke lënë të vdekur në vend policin 36-vjeçar dhe duke plagosur rëndë kolegun e tij, Edison Adri.


Të njëjtat burime bëjnë me dije se përfitimet e fondeve janë realizuar me emrin e nënës dhe vëllait të tij. Pra, pavarësisht se Braçellari ishte i shpallur në kërkim prej vitesh, ai kishte përfituar subvencione në bujqësi dhe blegtori.
Mbetet e paqartë sesi një person me një profil të tillë dhe i klasifikuar me rrezikshmëri të lartë mund të rezultojë përfitues i skemave mbështetëse. Lidhur me këtë, ZËRI i është drejtuar me një kërkesë për informacion institucionit (AZHBR), teksa deri më tani nuk ka marrë një përgjigje./ZËRI