TIRANË- Efektivi Edison Adri, 36-vjeç që mbeti i plagosur rëndë gjatë operacionit në Maliq dy ditë më parë vijon të jetë ende në intubim te Trauma. Në një reagim për mediat, Spitali i Traumës bën me dije se efektivi vijon të jetë i intubuar, por me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
“Gjendja shëndetësore e efektivit të Policisë, i ardhur nga Korça dhe i shtruar pak ditë më parë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), vijon të jetë i intubuar, me parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm.
Ekipi mjekësor i SUT-së do të vijojë ndjekjen në dinamikë të gjendjes shëndetësore të efektivit të Policisë dhe do të informojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e Spitalit të Traumës.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor në Maliq
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur një ditë më parë 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI